Shumë shpesh, debati publik mbizotërohet nga ajo që nuk funksionon; problemet, dështimet, zhgënjimet. Megjithatë, nëpër Kosovë, njerëzit po ndërtojnë diçka ndryshe: nisma që bashkojnë fqinjët, zgjojnë kreativitetin dhe tregojnë se ndryshimi është i mundur. Nga ripërtërirja e mjediseve të ndotura dhe ringjallja e jetës kulturore në qytetet e lëna pas dore, te organizimi i aktiviteteve për të rinjtë, mbrojtja e pasurive publike dhe luftimi i diskriminimit – këto përpjekje shpërfaqin fuqinë e komuniteteve.
Duam t’i rrëfejmë këto histori.
Jemi në kërkim të gazetarëve/eve që duan t’i nxjerrin në pah momentet e qëndrueshmërisë, solidaritetit dhe kreativitetit. Ndonëse propozimet nga Prishtina janë të mirëseardhura, po kërkojmë veçanërisht rrëfime përtej kryeqytetit – vende që marrin më pak vëmendje, ku aktivizmi i komunitetit shpesh shfaqet në forma unike dhe përballet me sfida të veçanta.
Këto rrëfime nuk nënkuptojnë shpërfilljen e problemeve, por kanë të bëjnë me krijimin e hapësirës për njerëz dhe ide që trasojnë rrugën përpara.
Ne do t’i përzgjedhim 5 propozime, ku secili do t’i njohë më mirë lexuesit me njerëzit dhe komunitetin mbrapa këtyre nismave, t’i shqyrtojë sfidat me të cilat përballen dhe ta theksojë ndryshimin që po sjellin.
Si ta dërgoni propozimin?
Dërgoni idenë tuaj (deri në 400 fjalë) duke na treguar:
- Nismën që doni ta mbuloni;
- Sfidave që u përgjigjet;
- Pse është e rëndësishme dhe çka e bën atë frymëzuese;
- Si do ta trajtoni rrëfimin?
Të përzgjedhurit do të përfitojnë mbështetje redaktoriale nga ekipi i K2.0 dhe kompensim financiar për punën e tyre.
Afati i fundit për propozime: 15 nëntor 2025
Propozimi bashkë me CV të dërgohet te: [email protected]

Përshendetje Mendoj se duhet te investohet edukimin e menyres se sjelljes ne komunikacoin. Kjo eshte shume e nevojshme ne ngritjen e vetedijes dhe njeherit rritjen e sigurisë . Une kam.njohuri profesionale ne kete fushë por gjithashtu edhe experincë në gazetari andaj me nje mbeshtetje simbolike , permes ligjeratave dhe broshurave mendoj se do te ndikonim ne ngritjen e vetëdijes dhe kultures ne komunikacion. Me rrespekt Fatmiri